Presidentja Osmani me zëdhënësin e politikes së mbrojtjes të CDU-së diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim deputetin dhe zëdhënësin e Politikës së Mbrojtjes së Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, z. Florian Hahn, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. 

Në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend. 

Me këtë rast, Presidentja Osmani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik të Gjermanisë në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë si dhe përkrahjen e madhe ne synimet tona drejtë integrimeve euroatlantike. 

Mëtej, Presidentja theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe qëndrimin unik kundrejt tendencave destabilizuese ndaj Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë. 

Sipas Presidentes, Kosova është fuqimisht e përkushtuar në rrugën e integrimit euroatlantik me synim të qartë për anëtarësim në BE dhe në NATO. 

Ndërkaq në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se kjo çështje ka të bëj me të drejtat dhe liritë e njeriut. /Kosova.info/

Go to TOP