Presidenti Trump arrin në Izrael

Presidentit amerikan, Donald Trump, pritet t’i bëhet pritje madhështore në Izrael.

Tashmë shihet një qilim i kuq i shtruar për të në pistë. Të pranishëm janë edhe zyrtarë ushtarakë dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ky i fundit ia ka përsëritur disa herë Trumpit se Izraeli nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Çfarë parasheh plani i Trumpit?

Sipas planit, operacionet ushtarake janë ndalur në Gazë.

Hamasit i kërkohet shkatërrim i plotë i armëve.

Faza e parë e parasheh atë që po ndodh sot: lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me dërgimin e ndihmave në Gazë, proces që tashmë ka nisur.

Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur në plan edhe udhëheqjen e Gazës në të ardhmen.

Aty thuhet se “një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje të një trupi ndërkombëtar, Bordi i Paqes” i cili do të drejtohet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Në të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh.

Aty theksohet se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”.

Një pjesë e mirë në plan i është kushtuar atij që SHBA-ja e quan “plan për zhvillim ekonomik”, me qëllim të rindërtimit të Gazës. Aty përmendet se “Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën” dhe që forcat izraelite do të largohen nga territori në disa faza.

Plani e lë të hapur derën për një shtetësi palestineze.


Go to TOP