Presidenca reagon për sulmet ndaj Policisë në veri: Serbia po tenton ta destabilizojnë situatën në Kosovë

Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, duke thënë se Serbia dhe strukturat e saj kriminale po synojnë që ta destabilizojnë situatën në Kosovë.

Në një postim në Twitter, Vela ka shkruar se ata do të dështojnë, e shteti i së drejtës do të mbizotërojë.

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme që kishin cak Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, ka shkruar Vela.

Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftoi përmes në konference për media se në sulmin e parë kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve, në atë të dytin zyrtarët janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë, ndërsa në të katërtin janë përdorur granata dore dhe AK 47.

Go to TOP