Kusari: Kritika më serioze e raportit të KE-së sulmi ndaj gazetarëve, përgjegjësinë e kanë LVV dhe Prindon Sadriu
Juristja dhe njohësja e medias, Flutura Kusari ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për Kosovën ku përmendet edhe liria e medias dhe sulmet e zyrtarëve publikë ndaj gazetarëve.
Sipas Kusarit, ky ishte shqetësimi më serioz dhe kritika më e ashpër e këtij raporti dhe siç shprehet ajo, raporti me të drejtë citon se ka pasur rritje të deklaratave poshtëruese/nënçmuese dhe denigruese nga politikanët (dhe biznesmenët) drejtuar mediave, të cilat minojnë besimin në gazetari dhe sigurinë e gazetarëve.
Për këtë, ajo ka thënë se përgjegjësinë e mbajnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Prindon Sadriu.
Ajo thotë se që kur kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën GUXO: “shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet.”.
Kusari thotë se shkeljet e medias duhet të adresohen nëpër institucionet, por jo në luftë publike me gazetarë dhe politikanët e njerëzit në pushtet nuk kanë të drejtë t’i vlerësojnë mediat.
Ky është postimi i saj:
Shqetësimi më serioz dhe kritika më e ashpër e këtij raporti ka të bëjë me denigrimet publike që po iu bëhen gazetarëve.
Raporti citon, me të drejtë, vlerësimin e AGK-së, sipas së cilës ka pasur rritje të deklaratave poshtëruese/nënçmuese dhe denigruese nga politikanët (dhe biznismenët) drejtuar mediave, të cilat minojnë besimin në gazetari dhe sigurinë e gazetarëve.
—
Për këtë kritikë kaq serioze, përgjegjësinë e mban Lëvizja Vetëvendosje dhe sigurisht Prindon Sadriu.
Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet.
A bëjnë shkelje etike dhe ligjore mediat? Po!
Mirëpo, shkeljet duhet të adresohen në KPM, KMSHK dhe gjykatë, e jo në luftë publike me gazetarë.
Politikanët dhe njerëzit në pushtet nuk kanë të drejtë të vlerësojnë mediat, ata mund të bëjnë politika për të përmirësuar sistemin medial dhe aty përfundon misioni i tyre.
Ndërsa mediat kanë të drejtë t’i vlersojnë gazetarët. Nëse politikanët kanë dëshirë të bëjnë vlerësime, mund të fillojnë të punojnë si gazetarë.
Për këtë qasje ndaj gazetarëve, faturën do ta paguajnë njerëzit në pushtet.
