​Politologu boshnjak: Lajçak bëri punë jo të mirë në dialog, Pahor kandidat i preferueshëm

Politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviq, thotë se ish-presidenti slloven, Borut Pahor, është kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Miroslav Lajçak, në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, Pahor do të ishte i preferueshëm nga të dy palët dhe në bazë të përvojës së tij do t’i kontribonte procesit të dialogut.

Ai në një intervistë për KosovaPress, kritikon ndërmjetësin aktual, Miroslav Lajçak se nuk ka bërë punë të mirë në dialog dhe se ka qenë i anshëm. Analisti boshnjak, thekson se dialogu aktual ka ngecur për fajin e Serbisë, e cila nuk zbaton marrëveshjet e arritura. Mirëpo shton se as Bashkimi Evropian nuk ka leva për të çuar përpara procesin.

” Po na thuhet se zoti Pahor nga Sllovenia dëshiron këtë detyrë(përfaqësues i BE-së për dialogun)që ai është ndoshta kandidati më i mundshëm. Sigurisht që ai do të ishte i preferueshëm. Zoti Lajçak ka bërë një punë jo të mirë. Ka një problem themelor strukturor për shkak që ai vjen nga një vend që nuk e njeh (Kosovën), mendoj se kjo ishte thellësisht e papërshtatshme. Ai ka treguar herë pas here se duket se ka një shkallë të çuditshme simpatie për Serbinë në lidhje me të gjitha këto bisedime. Vetëm pak ditë më parë, ai pati një takim me Milorad Dodik nga Bosnja, më pak se 24 orë pasi Dodik tha se ishte i përgatitur të largohej nga Bosnja Hercegovina, kështu që (Lajcakut) i mungon besueshmëria për të qenë dikush që mund të ndërmjetësojë këtë proces. Pra, në këtë pikë, unë jam i gatshëm të them se pothuajse çdokush do të bënte një punë më të mirë se Miroslav Lajçak. Por përsëri, në të njëjtën kohë, çdo pasardhës i Lajçakut do të ketë shumë pak mjete në dispozicion, sepse vetë besueshmëria e BE-së në aspektin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi është thellësisht i komprometuar sepse disa nga shtetet e saj anëtare kanë pozicione shumë, shumë problematike ndaj rajonit, para së gjithash Hungaria. Pra, vetë BE-ja, mendoj se është në një pozitë të keqe dhe nuk ka shumë leva për ta çuar përpara këtë proces”, thotë ai.

Ai potencon se problemi themelor në dialog është se Serbia nuk është e gatshme të pranojë sovranitetin e Kosovës.

“Unë nuk mendoj se dialogu, siç e kuptojmë ne aktualisht, po shkon gjëkundi, as nuk mendoj se do të shkojë në të ardhmen e parashikueshme. Problemi themelor vazhdon të jetë se kemi një qeveri në Serbi që nuk është e gatshme të pranojë sovranitetin e Kosovës, realitetin e sovranitetit të Kosovës. Pra, derisa kjo të ndryshojë, ose të paktën të ketë një lloj lëvizjeje drejt njëfarë njohjeje të sovranitetit të Kosovës, realitetit të sovranitetit të Kosovës, nuk mund ta imagjinoj se do të ketë ndonjë lloj hapash kuptimplotë drejt normalizimit. Ne e shohim se hapat më të vegjël për të pranuar se Kosova është sovrane dhe e pavarur nga ana e Serbisë është një konflikt. Targat, shërbimet postare, fluturimet, çdo gjë është një problem dhe derisa të mbetet kështu në Serbi, nuk ka gjasa të ketë lëvizje në dialog”, deklaron ai.

Duke folur për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, Mujanoviq, thotë se aktualisht po shkon në drejtim të gabuar.

“Ne shohim vazhdimisht se ka marrëveshje të arritura. Serbia ose thotë se do të nënshkruajë dhe më pas nuk e nënshkruan, dhe pastaj e nënshkruan por nuk bën asgjë për këtë. Kjo është situata që kemi pasur të paktën që nga viti 2013. E di që ka shumë akuza se edhe Kosova nuk e ka respektuar marrëveshjen e Brukselit, por çfarë ka bërë Serbia? Pra, është një situatë ku nuk po ndodh një proces kuptimplotë, mirëpo është iluzioni i një procesi që po ndodh. Në thelb, nuk po bëhet asgjë. Dhe më keq se kaq, ju keni parë Serbinë edhe një herë duke u bërë shumë agresive në marrëdhëniet e saj me Kosovën. Kemi pasur incidente shumë të rënda vetëm gjatë vitit të kaluar. Banjska para së gjithash, Zveçani etj., kjo më sugjeron se dialogu jo vetëm që nuk po ndodh, por edhe ne po shkojmë në drejtim shumë të gabuar”, thotë ai.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, analisti boshnjak thotë se është një mundësi reale, që do ta ndihmonte konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Sigurisht që duket se po ecën në drejtimin e duhur. Mendoj se do të ishte një hap shumë pozitiv dhe do të ishte një hap që do të ndihmonte në barazimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sepse një nga problemet strukturore siç e dini, është se për shkak se Kosova nuk ka të njëjtin pozitë ndërkombëtare si Serbia në shumë institucione. Gjithmonë ka pak pabarazi politike dhe diplomatike. Mendoj se hyrja në Këshillin e Evropës për Kosovën do të ishte një hap shumë i madh përpara për vendin dhe gjithashtu do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për Serbinë për të thënë se nuk do të mund ta mbani Kosovën jashtë institucioneve më relevante ndërkombëtare përjetësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pranojë këtë, dhe kështu unë shpresoj që, para fundit të vitit, ne do ta shohim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës”, përfundon ai.

Mujanoviq gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë, ku është pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Go to TOP