Policia Rajonale e Prizrenit prezanton Raportin Vjetor 2025: Ulje e veprave penale dhe rritje e zbulueshmërisë në 86%

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar Raportin Vjetor të Punës për vitin 2025, në një takim të mbajtur në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Kolonel Fehmi Hoti, Drejtorit të Departamentit të Rendit Publik, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi, si dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë – Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu.

Takimin e hapi Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Kolonel Faton Alija, i cili prezantoi objektivat dhe prioritetet strategjike për vitin 2025. Ai theksoi rëndësinë e ofrimit të sigurisë publike dhe forcimit të bashkëpunimit me qytetarët dhe forumet e sigurisë, zbatimin e Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021–2025, rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, si dhe parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, me fokus të veçantë në luftimin e dhunës në familje.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është shënuar një ulje prej 2.7% e numrit të veprave penale krahasuar me vitin 2024. Gjatë kësaj periudhe, Policia e Prizrenit ka realizuar gjithsej 914 operacione policore dhe ka sekuestruar 152 armë, që paraqet një rritje prej 23.6% krahasuar me vitin paraprak.

Njëkohësisht, është evidentuar rritje e ndjeshme e zbulueshmërisë së veprave penale dhe incidenteve duke arritur në 86% në vitin 2025, nga 81.8% sa ishte në vitin 2024. Rezultatet përfshijnë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë në shkolla dhe komunikacion, parandalimin e veprave penale dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Në raport u bë e ditur se gjatë vitit 2025 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar dy raste vrasjesh, për dallim nga viti 2024 kur nuk ishte shënuar asnjë rast. Megjithatë, u theksua se prej vitesh në këtë rajon nuk ka asnjë rast vrasjeje me kryes të pa zbuluar duke dëshmuar efikasitetin e Policisë në ndriçimin e rasteve të rënda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, përgëzoi Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren për punën dhe angazhimin e treguar duke theksuar nevojën për vazhdimin e përkushtimit në zbatimin e strategjive policore. Ai rikujtoi se, pavarësisht sfidave me mungesë stafi dhe pajisjesh, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime profesionale në interes të qytetarëve.

Në fund të takimit, Kryeprokurori dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren falënderuan Policinë për bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin profesional. Po ashtu, u ndanë mirënjohje për disa personalitete, përfshirë ish-Drejtoreshën e Emergjencave në Komunën e Prizrenit, gazetarët Qazim Thaqi, Myrvete Axhami dhe Nuhi Salihu, si dhe për eprorë policorë, për kontributin e tyre të veçantë. /Kosova.info/


Go to TOP