Policia largon mbrojtjen e afërt ndaj Pecit, pas kërcënimeve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci nuk është më në mbrojtjen e afërt të Policisë.

Ministri ishte futur nën mbrojtjen e afërt të Policisë me 12 tetor të këtij viti pas një kërcënimi në lidhje me trajtimin e tij të pronave të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë të Prishtinës dhe ndërtimin e rreth 25 vilave në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të Komunës së Pejës.
Me këto raste të denoncuara publikisht nga ministri janë duke u marrë Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe ajo e Pejës të cilat kanë intervistuar edhe ministrin Peci.

Ministri, ka treguar se nuk është më nën përcjelljen e mbrojtjës së afërt.

“Për këtë çështje kanë vendosur forcat e rendit të cilat vlerësojnë seriozitetin e situatës”, tha Peci.

Ministri theksoi se pas denoncimit publik të uzurpimeve të pronave në Prishtinë e Pejë është intervistuar edhe nga organet e ndjekjes dhe hetuesisë.

Nga ana tjetër nga Policia e Kosovës nuk janë deklaruar lidhur me heqjen e mbrojtjes së afërt të policisë ndaj ministrit.

Go to TOP