Policia e Prishtinës sekuestron armë dhe ndëshkon kundërvajtësit
Gjatë javës së kaluar, Policia e Rajonit të Prishtinës ka realizuar gjithsej 221 urdhëresa të gjykatës, në lokacione dhe aksione të ndryshme. Prej tyre, 56 urdhëresa ishin për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe çështje tjera procedurale.
Sipas policisë, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të parapara.
“Bazuar në denoncimet dhe postimet e qytetarëve në rrjete sociale, vetëm gjatë javës që lamë pas janë sekuestruar 18 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe qindra fishekë, në kuadër të aksioneve për rritjen e sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në sferën e sigurisë në komunikacionin rrugor, policia ka shqiptuar 4007 gjoba për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të kodit rrugor. Prej tyre, 464 janë identifikuar nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.
Policia më tutje vlerëson kontributin e qytetarëve në identifikimin e shkeljeve në trafik si dhe njofton se do të vazhdojë me aktivitetet e saj në funksion të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë së përgjithshme rrugore.
