Policia e Kosovës identifikon lokacionin ku po mbaheshin kafshë të kontrabanduara

Njësitë e Taskforcës nga Policia Kuftiare – DRK Lindje, njofton se të martën kanë pranuar informacione se nga fshati Tanushë – RMV dy automjete janë duke kontrabanduar disa kafshë.

Rreth orës 20:00 në fshatin Sodovinë e Qerkezve – Viti është identifikuar lokacioni ku po vendoseshin kafshët e kontrabanduara, në pronën e të dyshuarit M. J. viti i lindjes 1991, i cili dyshohet se me të vërejtur njësitë policore është larguar në drejtim të panjohur.

Në të njëjtin lokacion janë hasur dy automjete të dyshuara me targa vendore, ku pas kontrollit të tyre në njërin nga mjetet janë gjetur të ngarkuara tre krerë kafshë pa numër matrikulli, ndërsa në mjetin tjetër pavarësisht që ishte i zbrazur janë vërejtur gjurmë të bartjes së kafshëve. Po ashtu kontrolli është realizuar edhe në stallën e oborrit, me ç’rast janë gjetur 11 gjedhe dhe një viç që të gjitha pa nr. matrikulli por me veshë të shpuara, ku dyshohet se numrat matrikulues të tyre janë hequr.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘kontrabandim me mallra’, po ashtu janë njoftuar edhe inspektorët e AUV-it, ku nga ta është lëshuar procesverbal mbi konfiskimin e kafshëve të cilat janë tërhequr dhe janë dërguar në Terminalin Doganor te Dheu i Bardhë.

Go to TOP