Kina kërcënon me ‘kundërpërgjigje’ nëse presidentja e Tajvanit takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve

Kina ka kërcënuar se do të “kundërpërgjigjet me vendosmëri” nëse kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy, takohet me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjatë kalimit të saj të planifikuar përmes Shteteve të Bashkuara.

Paralajmërimi erdhi pasi Tsai do të nisej për një udhëtim në Guatemalë dhe Belize, ku do të kalojë përmes Nju Jorkut dhe Kalifornisë në SHBA. Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, ajo pritet të takohet me McCarthy teksa është në Kaliforni, në fund të udhëtimit të saj 10-ditor.

Zhu Fenglian, zëdhënëse e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Kinës, u tha gazetarëve në Pekin se “transitet” e Tsai në SHBA nuk ishin vetëm pritja e saj në aeroport ose hotel, por që ajo të takohej me zyrtarë dhe ligjvënës amerikanë.

“Nëse ajo ka kontakte me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, McCarthy, do të jetë një provokim tjetër që shkel seriozisht parimin e një Kine, dëmton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe shkatërron paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit. Ne e kundërshtojmë me vendosmëri këtë dhe patjetër do të marrim masa për t’u kundërpërgjigjur me vendosmëri”, tha Zhu.

Kina, e cila e pretendon Tajvanin e sunduar në mënyrë demokratike si territorin e saj, ka paralajmëruar vazhdimisht zyrtarët amerikanë që të mos takohen me Tsai, duke e parë atë si mbështetje për dëshirën e ishullit për t’u parë si një vend më vete.

Pekini organizoi stërvitje ushtarake rreth Tajvanit gushtin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Taipein, shkruan AlJazeera.

Qeveria e Tajvanit kundërshton me forcë pretendimet e Kinës për sovranitet dhe ndërsa Tsai ka ofruar vazhdimisht bisedime me Pekinin, ajo gjithashtu ka thënë se vetëm njerëzit e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ajo ka vizituar SHBA-në katër herë që nga marrja e detyrës për herë të parë në vitin 2016, gjatë së cilës kohë ajo u takua me senatorët republikanë Marco Rubio dhe Ted Cruz, ku çdo udhëtim u bë më formal se i kaluari.

Go to TOP