Policia e anulon konkursin për gradimin me gradën rreshter

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka anuluar konkursin për gradimin me gardën “rreshter” të shpallur më 12 shkurt të këtij viti.

Sipas policisë, edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, është angazhuar stafi policor në analizimin e procesit, ku është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka bërë një inspektim “të jashtëzakonshëm të këtij procesi”.

“Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja”.

“Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej, policia tha se pas rishikimi të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partnerë të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve”, thuhet në reagim.

Go to TOP