Pojata nderon Gëzim Sahiti dhe martirët me bust e pllaka përkujtimore

Në 27-vjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit, Gëzim Sahiti, në fshati Pojatë u zbulua busti i tij, si dhe u vendosën gjashtë pllaka përkujtimore në nderim të martirëve të vrarë nga okupatori serb.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se ky përkujtim tejkalon simbolikën e një pllake përkujtimore.

“Nuk është thjesht një pllakë që mbart emrat e Dëshmorëve e Martirëve. Kjo sot, po kthehet në një pikë pelegrinazhi e homazhi përjetësisht për lirinë, për kujtimin, për krenarinë e përpjekjeve tona e triumfit të lirisë”, u shpreh Aliu.

Bashkëluftëtari i tij, Hashim Feka, theksoi rëndësinë e figurës së Sahitit në Beteja e Koshares.

“Nuk jemi mbledhur vetëm për të përkujtuar një bashkëluftëtar, por për të nderuar një hero që me guxim e sakrificë shkroi historinë tonë. Në Betejën e Koshares ai nuk luftoi vetëm me armë në dorë, por me zemër të madhe për lirinë e Kosovës”, tha Feka.

Familjarët e të rënëve u shprehën krenarë për sakrificën e më të dashurve të tyre. Vajza e dëshmorit, Marigona Sahiti, tha se mungesa e babait është ndjerë gjatë gjithë jetës, por edhe krenaria për veprën e tij.

“Edhe pse u rritëm pa praninë e tij, gjithmonë e kemi ndier forcën dhe emrin e tij para nesh. Babi im jeton në kujtimet tona, jeton në historinë tonë dhe në çdo hap që ne e bëjmë si popull i lirë”, u shpreh ajo.

Në emër të familjeve të martirëve të fshatit, foli edhe Jehona Esati, e cila bëri thirrje për ruajtjen e amanetit të tyre.

“Ne duhet ta ruajmë dhe ta çojmë amanetin e tyre, ta ndërtojmë vendin tonë me drejtësi, respekt dhe dashuri, ashtu siç ata e ëndërruan”, tha Esati.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje përkujtimore, u mbajt edhe një program artistik në nderim të dëshmorëve dhe martirëve.

Go to TOP