Podujeva dhe “Qatar Charity” nënshkruajnë tri memorandume të bashkëpunimit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe përfaqësuesi i “Qatar Charity” Esam Dabab sot, kanë nënshkruar tri memorandume të bashkëpunimit për projekte në fushën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Përmes, memorandumit të parë parashihet bashkëinvestimi komunës së Podujevës dhe Organizatës “Qatar Charity”, për ndërtimin e Qendrës së Urgjencës në Podujevë, projekt i cili ka vlerë rreth 1.2 milionë euro.
Në fushën e shëndetësisë, gjithashtu është nënshkruar edhe memorandumi për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gllamnik, vlera e projektit rreth 225 mijë euro.
Në këtë takim marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar edhe në fushën e mirëqenies sociale, përmes të cilës, Organizata “Qatar Charity” në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) do të shpërndajë 200 pako me artikuj ushqimorë, jorgan dhe batanije për familjet me kushte të rënda ekonomike.
Falënderues për përkrahjen e vazhdueshme që “Qatar Charity” po i jep komunës së Podujevës u shpreh kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi.
“Falënderoj organizatën “Qatar Charity”, për investimet dhe ndihmën e vazhdueshme që po i jep komunës së Podujevës, ndërsa shpreh gatishmërinë tonë të plotë për angazhim në përmbushjen e të gjitha zotimeve që kemi marrë në kuadër të marrëveshjeve që kemi nënshkruar sot” tha Kryetari Bulliqi. /Kosova.info/
