Pjesa e dansit “Kam frikë”, një kërkim artistik mbi frikërat që shoqërojnë jetët tona


“Kam frikë” është një pjesë dansi, që vjen skenën teatrore. Pjesa vjen në kuadër të Festivalit të Dansit Kontemporan dhe do të jetë premierë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo pjesë dansi është një kërkim artistik mbi frikërat, që shoqërojnë jetët tona.

Pasiguria për të ardhmen, dhuna, bullizmi, lufta, sëmundjet, punësimi, sfidat profesionale, etj, janë bashkëshoqëruese gati të pandashme të rritjes ndër vite, përball rrethanave, kushteve dhe mënyrës se si ne e shohim botën që na rrethon.

Tre kërcimtarë eksplorojnë ballafaqimin me frikërat e tyre më të mëdha, duke i pranuar ato si disa nga problemet kryesore që shqetësojnë gjeneratat e reja, por njëkohësisht si emocione të fuqishme që depërtojnë deri në bërthamën. A nuk jemi të gjithë të frikësuar nga diçka? Regjia dhe koreografia Semela Skënderasi, Mariel Brahimllari, Ersa Ymeri. “Kam frikë” që do të jetë nesër në mbrëmje në skenën teatrore është prodhim i “Fondit të Teatrit për të Rinj”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar Eksperimental dhe teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës. Festivali i Dansit Kontemporan pas 16 vitesh ka një bashkëpunim institucional. “Albania Dance Meeting-Festival”, që përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, në edicionin e 17- të të tij vendos bashkëpunimin me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spaigvolgli”. Sa i takon sezonit artistik në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, premierat teatrore deri në muajin dhjetor janë vepra të “Fondit të Teatrit për të Rinj”

Festivali i dansit

Edicioni i 17-të i këtij viti (2 tetor -15 nëntor) përfshin në programin e tij 9 shfaqje, të cilat vijnë nga Franca, Italia, Hungaria, Zvicra, Austria, Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. Shfaqjet e këtij edicioni të festivalit janë në skenën e Teatrit Eksperimental, në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, teatri “Aleksandër Moisiu”, etj. Në vazhdimësi dhe në varësi nga buxheti i tij, “Albania Dance Meeting-Festival” ka prezantuar nëpërmjet programit të tij ambicioz, mesatarisht 12 shfaqje për edicion në skenat e Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar Eksperimental, teatrit Metropol, sallave të Universitetit të Arteve, Galerisë Kombëtare të Arteve, teatrit “Aleksandër Moisiu”, teatrit “Skampa”, teatrit “Migjeni”, teatrit “A. Z. Çajupi”, në pedonalet e Tiranës e Durrësit, etj, me ndikim në skenën shqiptare të dansit, në edukimin e audiencës sonë me kërkimet e reja në estetikën, konceptet, idetë dhe qasjet e dansit europian e atij botëror. Organizimi i workshopeve dhe masterclas-eve, mbi konceptet, teknikat dhe qasjet e dansit bashkëkohor, mbetet një kontribut i rëndësishëm për koreografët dhe kërcimtarët e rinj shqiptarë. “Albania Dance Meeting” është partner që në vitin 2009 me Aerowaves, rrjetin më të rëndësishëm të Festivaleve Europiane të Dansit Kontemporan.

Go to TOP