Pishina e Gërmisë rihapet pas konfirmimit të cilësisë së ujit nga IKSHPK – Kryeqyteti kërkon kujdes me njoftimet publike
Kryeqyteti ka njoftuar opinionin publik se më 24 korrik 2025, bazuar në rezultatet preliminare të disa mostrave të ujit të marra në Pishinën e Gërmisë dhe para përfundimit të analizave të plota laboratorike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar mbylljen e përkohshme të pishinës.
Sot, më 25 korrik 2025, IKSHPK ka përfunduar analizat përfundimtare të mostrave të datës 23 korrik dhe ka konfirmuar se cilësia e ujit në pishinën e Gërmisë është brenda standardeve të përcaktuara sipas rregullores për cilësinë e ujit në pishina. Si rrjedhojë, është dhënë leja për rihapjen e saj.
Kryeqyteti ka shprehur shqetësimin për komunikimet publike të parakohshme që, sipas tij, kanë shkaktuar alarm dhe konfuzitet tek qytetarët në një kohë kur rezultatet zyrtare ende nuk ishin përfunduar. Në këtë kontekst, është bërë apel që në të ardhmen, çdo komunikim që ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe sigurinë e qytetarëve të bazohet vetëm në rezultatet zyrtare dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse.
Qytetarët ftohen të shfrytëzojnë hapësirat rekreative të Gërmisë, me garancinë se Kryeqyteti dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” SH.A. mbeten të përkushtuara ndaj transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik. /Kosova.info/
