Pezullimi i vendimit për pagat, KGJK vendos që gjykatat të vazhdojnë punën me kapacitete të plota

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, ka vendosur që të ndryshohen pjesërisht disa pika nga vendimiet e marra të datës 23 nëntor, pas sot Gjykata Themelore në Prishtinë pezulloi vendimin e Qeverisë për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Në këtë mbledhje, ku ishin prezent edhe kryetarët e gjykatave, u vendos që nga nesër, gjykatat të vazhdojnë punën me kapacitete të plota.

Ndërkohë, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë do të vazhdojnë deri në një vendim tjetër, ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

Në mbledhje po ashtu është vendosur që të mbetet në fuqi pika I e vendimit, me të cilin “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryetarët e gjykatave, kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin Nr. 03/109, të datës 23 nëntor 2022”.

KGJK ka ripërsëritur thirrjen që Qeveria ta shfuqizoj vendimin për uljen e pagave, duke thënë se tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit përmes “vendimeve dhe gjuhës denigruese” të përfaqësuesve të Qeverisë, janë të papranueshme,

“KGJK kërkon që në Ligjin për Pagat dhe në Ligjin për Zyrtarët Publik të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vet rregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor, duke i pranuar qëndrimet dhe komentet e KGjK-së dhe njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat. Pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë derisa të vazhdojnë tendencat e ekzekutivit për cenimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

Go to TOP