Petkoviq: Gënjeshtër e pastër nga Bislimi, s’kemi folur për kritere të Asociacionit
Pesë kritere që i përmendi gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, kryenegociatori Besnik Bislimi në lidhje me Asociacionin, nga pala serbe po pretendohet se nuk janë diskutuar fare në takimin e Brukselit.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, përmes një shkrimi në Twitter, e ka quajtur këtë “gënjeshtër të pastër të Bislimit”.
“Asnjë fjalë nuk është përmendur në Bruksel për “pesë kritere për Asociacionin” për të cilat po flet sot. Ka pasur bisedime për statusin e Asociacionit dhe grupit menaxhues. Bislimi po krijon gjëra sërish, duket se ka dëgjuar çfarë ka dashur, jo çfarë është thënë. Asociacioni mund të bëhet vetëm në pajtim me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.” – ka thënë ai.
Bislimi prezantoi edhe disa kritere që sipas tij duhej t’i plotësonte drafti për të marrë një vlerësim të duhur.
“Drafti prezantohet edhe e merr një epitet. Domethënë vlerësohet. Vlerësohet në bazë të këtyre kritereve… A është drafti me elemente të cilat sugjerojnë ose kërkojnë ose propozojnë krijim të ndonjë shtrese tjetër të qeverisjes. Të cilën ne kemi thënë se nuk do të lejojmë. Zajednicë nuk lejojmë. A ka ky draft ndonjë kompetencë e cila nënkupton shtresë të re të qeverisjes në Kosovë. 2. A ka ky draft ndonjë element, ndonjë sugjerim, kërkesë, propozim që nënkupton të drejta kolektive. A ka ky draft ndonjë element që nuk është në harmoni me marrëveshjen 2013/2015. A është ky draft elemente të cilat nuk janë në harmoni me kushtetutën e Kosovës. A ka ky draft elemente që bien ndesh me letrën e Mogherinit dërguar kryeministrit Mustafa në vitin 2015.” – tha ai.
Të njëjtat zëvendëskryeministri i përmendi edhe gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, mëngjesin e së enjtes.
Ndërkaq, Bislimi dje ka folur edhe për grupin menaxhues në të cilin thotë se bëjnë pjesë katër qytetarë të komunitetit serb.
“Jon katër persona, jon serbë. Po s’i kom tash këtu emrat. Danijela Vujiçiqi osht kryesuese. Dy prej tyne jon prej vitit 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime…” – tha ai.
