Pesë europianë mund të dënohen me vdekje si mercenarë në rajonin e kontrolluar nga Rusia
Pesë europianë të kapur në Ukrainën lindore kanë dalë para një gjykate që administrohet nga separatistët e mbështetur nga Kremlini në qytetin e Donetskut, raportojnë mediat ruse.
Të pestë – Mathias Gustafsson i Suedisë, Vjekoslav Prebeg i Kroacisë dhe britanikët John Harding, Andrew Hill dhe Dylan Healy – u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave se ishin mercenarë dhe “janë trajnuar për ta marrë pushtetin me forcë”, sipas raporteve të mediave ruse, raporton The Guardian.
Ata mund të përballen me dënimin me vdekje sipas ligjeve të Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut, e cila nuk njihet.
Seanca e radhës gjyqësore për rastin e tyre është caktuar për në tetor, transmeton Gazeta Express.
Harding, Prebeg dhe Gustafsson u kapën në portin ukrainas të Mariupolit dhe përballen me ekzekutim të mundshëm për tentativën për të “marrë pushtetin me forcë” dhe “pjesëmarrje në konflikt të armatosur si mercenarë”, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Hill përballet me akuzat si mercenar, ndërsa Healy po gjykohet për pjesëmarrje në rekrutimin e mercenarëve për Ukrainën, tha agjencia e lajmeve.
Më 9 qershor, gjykata supreme e republikës së vetëshpallur dënoi me vdekje dy britanikë dhe një maroken, të cilët të gjithë u kapën nga forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës, pasi ishin mercenarë. Të tre kanë apeluar vendimet e tyre.
Ka pasë një moratorium mbi dënimin me vdekje në Rusi që nga viti 1997, por ai nuk zbatohet në dy rajonet separatiste në Ukrainë.
