Përparim Rama siguron transport për veteranët e UÇK-së që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare në Tiranë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare të 17 tetorit në Tiranë.

Përmes një postimi, Rama theksoi se ky vendim është shprehje e mirënjohjes dhe respektit institucional ndaj veteranëve, të cilët, sipas tij, përfaqësojnë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve.

“Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës, por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike,” ka deklaruar Rama.

Ai shtoi se ky gjest është një mënyrë për të nderuar sakrificën e gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.

“Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë,” përfundoi kryetari i Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP