Përparim Rama po ‘teston’ PDK-në?
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë sot lajmin e mirë që “tri shkolla të reja do t’i shtohen kryeqytetit”. Por, a po e bënte kryetari i ‘testeve’ edhe një test tjetër në këtë ngjarje, kësaj here politik?
Kryetari i Prishtinës njoftoi që sot ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e tri shkollave të reja por edhe për mirëmbajtjen e tyre në periferi të Prishtinës. Një do të ndërtohej në Sofali, një në Mat dhe një tjetër te Prishtina e re.
Këto tri shkolla do t’i kenë 2500 nxënës, dhe siç e ka interpretuar z. Rama në Facebook edhe “2500 makina më pak do të ketë qendra e Prishtinës…” Mos do të ishte më mirë të thuhej, 2500 udhëtime meqë nuk dihet nëse prindërit e nxënësve do t’i shesin krejtësisht makinat?

Por, ajo çka ra në sy në këtë ngjarje goxha të rëndësishme ishte mungesa e drejtoreshës komunale të arsimit, znj. Besianë Musmurati.
Nacionales i është thënë se z. Rama po ‘shpërfillte’ vazhdimisht anëtarët e kabinetit të tij nga radhët e PDK-së. Musmurati është pikërisht nga partia që drejtohet prej Memli Krasniqit.
Për ta marrë vesh se pse nuk ishte drejtoresha e arsimit në një ngjarje kaq të rëndësishme që prek fushën e saj, kontaktoi pikërisht me znj. Musmurati.
“Nuk mbërriva në kohë, se kam pasur takim për seancë që e patëm kundër dhunës. E me një plan të sigurisë në shkolla tu e finalizu për seancë.” – na tha znj. Musmurati.
Po Donjeta?
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës po ashtu është nga radhët e PDK-së. Bëhet fjalë për Donjeta Sahatçiun që kishte bërë bujë me mënyrën ‘e çuditshme’ se si rreshtohej me partinë të cilës i takonte.
Megjithatë, as nënkryetarja e komunës nuk ishte pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

“Për Donjetën (Sahatçiu) nuk e di (pse nuk mori pjesë),” – na tha znj. Musmurati.
Përparim Rama kohët e fundit është bërë i njohur për ‘testet’ e tij. Në fakt, bëhet fjalë për testimin e trafikut që e ka vështirësuar komunikacionin për shumë qytetarë. Por, a po e bën ai edhe një ‘test’ të PDK-së, partinë me të cilën ka lidhur koalicion qeveritar?

Vlen të theksohet që postimi i z. Rama deri tash (12:37) është rishpërndarë nga shumë aktivistë të LDK-së, përfshirë edhe nënkryetarin Alban Zogaj. Por, jo edhe nga nënkryetarja Donjeta Sahatçiu apo drejtoresha Besianë Musmurati.
Nënkryetarja Donjeta Sahatçiu kishte bërë bujë të madhe më 21 nëntor kur Qeveria Kurti ishte qortuar rëndë për refuzimin e propozimit të BE-së për marrëveshjen e targave (që do ta pranonte më vonë). Ajo do të bënte një postim përmes të cilit dukej se do t’i dilte në krah Qeverisë Kurti dhe jo partisë së saj që po kritikonte Qeverinë Kurti.
“O tash, o kurrë dëshmohet dashnija për shtetin. Besa edhe lidershipi. Bashkë!” – shkruante ajo.
