Përparim Rama: Partneriteti me SHBA-në mbetet shtyllë kyçe për zhvillimin e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Kryeqytetit.
Në një takim të mbajtur sot në Odën e Kryeqytetit, Rama priti Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila e uroi për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm.
Sipas Ramës, ky partneritet shkon përtej bashkëpunimit institucional dhe përfaqëson një aleancë vlerash, të ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Kryeqytetit./Kosova.info/
