Përndjekja në platformat sociale: Kërkohen dënime më të rrepta

Në Maqedoninë e Veriut, numri i rasteve të përndjekjes është rritur ndjeshëm, me dhjetëra vendime gjyqësore të shpallura vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit. Përndjekja, e cila përfshin kërcënimet kryesisht përmes platformave sociale, ngacmimet në vendin e punës dhe forma të tjera të shqetësimit, është bërë një çështje serioze në shoqërinë e sotme.

Një rast të veçantë përfshin një grua nga Ohri, e cila u bë objekt i kërcënimeve të vazhdueshme nga ish-partneri i saj përmes aplikacionit Viber, si dhe ngacmimeve në punë dhe kërcënimeve ndaj familjes dhe miqve të saj të ngushtë. Ish-partneri i saj u dënua me tre muaj burgim me kusht, me kërkesën që ai të mos përsërisë veprimet e tij për dy vitet e ardhshme.

Një tjetër rast në Tetovë përfshiu një burrë që ndiqte dhe ngacmonte vazhdimisht ish-partneren e tij, duke e ndjekur në shtëpi dhe duke e ofenduar publikisht. Ai u dënua me nëntë muaj burgim me kusht, gjithashtu me kushtin që të mos përsërisë veprimet e tij.

Në Vinicë, një rast alarmues përfshiu kërcënime për publikimin e mesazheve dhe videove komprometuese nëse ish-partnerja nuk pranonte të rifillonte marrëdhënien. I akuzuari u dënua me tre muaj burgim me kusht.

Sipas statistikave të fundit, që nga shkurti i vitit të kaluar, kur përndjekja u bë veprim penal me ndryshimet në Kodin Penal, janë pranuar 51 kallëzime penale, me 12 prej tyre që kanë çuar në ngritjen e aktakuzave.

Përndjekja është përkufizuar tani si një grup veprash që përfshijnë telefonata, dërgimin e letrave apo dhuratave, që janë të frikshme për viktimën. Ekspertët e krimit kibernetik vënë në dukje se viktimat kryesore janë vajzat dhe gratë, dhe ndonjëherë, për kapjen e autorëve është e nevojshme edhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore në Universitetin e Tetovës, thekson nevojën për rregulla më të rrepta në Kodin Penal për të adresuar ngacmimet, duke pasur parasysh kërcënimin në rritje që paraqesin platformat sociale.

Go to TOP