Prokuroria jep detaje: Përleshja e armatosur në Podujevë- nip dhe dajë, motivi: mosmarrëveshja paraprake
Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje të armatosur që ndodhi sot rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, sipas të dhënave fillestare të hetimit, në ngjarje janë përfshirë tre persona, ndërsa nga të shtënat me armë zjarri është plagosur edhe një kalimtar i rastit.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare, konkretisht nip dhe dajë, ndërsa motivi i konfliktit lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /Kosova.info/
