Përfundon numërimi i votave në 35 qendra komunale, në proces tri komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e verifikimit dhe numërimit të votave në 35 qendrat komunale të numërimit.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

“Deri të enjten në orën 16:00, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 qendrat komunale të numërimit, ndërkaq numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe të cilat i takojnë të gjitha QKN-ve është 2,271 nga 2,498 vendvotime, apo 90.91% e tyre”, ka thënë ai.

Elezi ka thënë se komunat ku nuk është përmbyllur ende numërimi janë Gjilani, Prizreni dhe Prishtina. Sipas tij, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që do të numërohen dhe verifikohen në këto tri qendra komunale është 227.

“Nga numri i përgjithshëm i prej 38 qendrash komunale, në 35 prej tyre ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të dielën në mbrëmje. Pra, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që janë procesuar dhe që i takojnë të gjitha këtyre qendrave komunale është 2,271 nga 2,498, apo rreth 91% e tyre”, ka shtuar Elezi.

Go to TOP