Përfundojnë inspektimet në 84 vendpunishte në Prishtinë – Rama paralajmëron masa të ashpra për shkeljet
Ka përfunduar inspektimi i 84 vendpunishteve aktive në Kryeqytet, i realizuar nga ekipet e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent”, pas një kontrolli të gjerë mbi standardet e sigurisë dhe përgjegjësisë profesionale në terren.
Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, raportet nga inspektimet tashmë janë në proces vlerësimi dhe për secilin rast do të merren vendime të veçanta, varësisht nga shkeljet e konstatuara.
Ai ka paralajmëruar se çdo punishte që nuk i përmbahet standardeve të sigurisë do të përballet me masa të menjëhershme, përfshirë mbyllje të punimeve, revokim të lejeve, si dhe heqje të licencave për inxhinierët mbikëqyrës.
Po ashtu, Rama theksoi se përgjegjësia do të jetë e qartë dhe e ndarë për çdo shkelje duke përfshirë si operatorët ekonomikë ashtu edhe zyrtarët përgjegjës, pa përjashtim. /Kosova.info/
