Perëndimi po përgatitet për dy samite kyçe – Rusia dhe Ukraina pikat kryesore të bisedimeve

Në dy samitet e ardhshme kyçe, G7 dhe NATO, liderët perëndimorë do të përpiqen të afrojnë sa më shumë radhët në raport me Moskën, sepse lufta në Ukrainë, e cila nuk ka fund në horizont, mund të rrezikojë unitetin e tyre.

Udhëheqësit e fuqive të mëdha, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, do të takohen në alpet bavareze për mbledhjen vjetore të shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7).

Grupi përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Franca, Italia dhe Gjermania.

Vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, katër muaj pas fillimit të ofensivës ruse, do të jetë në qendër të takimit, si dhe samiti dyditor i NATO-s që fillon më 28 qershor në Madrid.

Kancelari Olaf Scholz, mikpritës i samitit të G7, kujtoi këtë javë se mbështetja për Ukrainën do të kërkonte “këmbëngulje”.

“Është e vërtetë që ne jemi ende larg negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, sepse Putini ende beson në mundësinë e paqes së diktuar”, tha Scholz, duke shtuar se prandaj ishte edhe më e rëndësishme që “të qëndrojmë në rrugën e duhur, me sanksionet tona financiare, mbështetjen për Ukrainën dhe furnizim të koordinuar të armëve”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjasë “vite”.

Stefan Meister i institutit gjerman të kërkimit DGAP pohon se agresioni rus i detyroi anëtarët e G7 të kuptonin se kishin nevojë për njëri-tjetrin sepse inflacioni ose kërcënimi i një krize energjie dhe ushqimore, si rezultat i luftës, do të testonte më tej rezistencën e komunitetit ndërkombëtar.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë gjithashtu “Planin Marshall” për rindërtimin e Ukrainës, i cili thuhet se kushton miliarda dhe përfshin disa breza. 

Go to TOP