Kurti: Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë

Kryeministri Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e Rrjetit global të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës SEMA, ka shprehur keqardhje për të dhënat rreth krimeve të dhunës seksuale të raportuara në Ukrainë.

Raportet tregojnë se Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë, tha kryeministri Kurti, duke shprehur keqardhje të thellë për situatën e rëndë atje.

Kurti tha se kjo na kujton luftën tonë të viteve 1998-1999 në Kosovë, dhe siç ndodhi këtu, dhe në të gjitha luftërat e tjera, numri i të mbijetuarve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, sepse krimet seksuale shpesh nuk raportohen, për shkak të stigmës që i rrethon.

Përfaqësuesit e rrjetit SEMA, Iryna Dovgan dhe Volodymyr Shcherbachenko nga Ukraina, si dhe Pilar Rueda dhe Angela Maria Escobar nga Kolumbia, shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe mundësinë për të shkëmbyer përvojat lidhur me dokumentimin dhe drejtësinë për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti theksoi që Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile, në procese të drejtësisë tranzicionale gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ai përmendi punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për njohjen e statusit, e që garanton trajtim të sigurt të informacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, theksoi se për lehtësim të qasjes në drejtësi, Qeveria ka rritur buxhetin për katër prokurorë, gjashtë profesionistë dhe dy përkthyes shtesë për krimet e luftës.

Gjatë takimit të përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë Nita Shala dhe përfaqësueset e organizatave joqeveritare, u theksua puna e përbashkët për të mbështetur të mbijetuarit, të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Duke veçuar kontributin e Vasfije Krasniqit, u theksua domosdoshmëria e angazhimit të mëtejmë të përbashkët për të luftuar stigmën që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës. 

Go to TOP