Për asamblistët fitues!
Shkruan: Enis RÇICA
“Nuk ka pushtet më të rrezikshëm se ai që harron se është i përkohshëm”
Zgjedhjet përfunduan, votat u numëruan, por punët sapo filluan.
Ata që morën besimin e qytetarëve, tani mbajnë mbi shpinë peshën e premtimeve dhe moralin e përgjegjësisë. Siç thoshte Max Weber, “politika është një fushë ku përgjegjësia duhet të jetë më e fortë se pasioni”. Prandaj, kushdo që ulet në një ulëse të Asamblesë, nuk përfaqëson më vetëm partinë, por qytetarin, komunitetin dhe interesin publik.
Hannah Arendt thotë se “fuqia e vërtetë lind nga veprimi i përbashkët i njerëzve që mbajnë fjalën e dhënë”. E ju, keni fuqi tash, nëse punoni së bashku. Ndërsa, fjalët e dhëna në fushatë tani duhen kthyer në vendime, në transparencë dhe në shërbim të përditshëm ndaj qytetarit.
Po ua kujtoj edhe fjalën e John Stuart Mill, i cili paralajmëronte se “kur qytetari humb besimin te përfaqësuesi i tij, bie themeli i lirisë politike”. Kjo është arsyeja pse çdo votë e marrë është një kontratë morale, jo një dekor pushteti.
Po u shkruaj juve, sepse jeni porta e parë e çdo lagjeje.
Punoni, ju që fituat!
Dëshmojeni se besimi i marrë nuk është rastësi, por përgjegjësi.
Sepse siç thoshte Montesquieu, “nuk ka pushtet më të rrezikshëm se ai që harron se është i përkohshëm”.
Në fund, qytetari pret punë e ndershmëri. Ai u sakrifikua për të ju besuar. Besimi iu është dhënë, e ju i keni 4 vite që atë të mos e devijoni, sepse populli di me u zhgënjye. E siç shprehej Jean-Jacques Rousseau, “populli lind i lirë, por shpeshherë gjendet i lidhur nga ata që duhej ta përfaqësonin”. Mos na detyroni të reagojmë e protestojmë kundër jush, kundër votës tonë!
