Për 3 muaj ATK-ja realizoi 254.6 milionë euro të hyra

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar të hyra tatimore në vlerë prej 254.6 milionë euro.

Sipas tyre kjo shifër shënon një rritje prej 18.3 milionë euro më shumë , krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Kjo rritje është rezultat i përmirësimit të shërbimeve për tatimpaguesit, reformave të ndërmarra dhe rritjes së transparencës në administrimin e tatimeve. Ofrimi i shërbimeve profesionale dhe lehtësimi i procedurave ka ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e obligimeve tatimore nga tatimpaguesit”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Forcimi i llogaridhënies, thonë se është mekanizëm i fuqishëm i institucionit tatimor, i cili ka rezultuar që të kenë zbatim të saktë të procedurave tatimore, si dhe rritje të integritetit.

Një ndër aspektet, sipas tyre,  shumë të rëndësishme ka qenë dhe mbetet forcimi i bashkëpunimit me bizneset dhe qytetarët, për të cilën, ATK thotë se angazhohet vazhdimisht në dialog të hapur me komunitetin e biznesit për të adresuar sfidat dhe përmirësuar përmbushjen tatimore. /Kosova.info/


Go to TOP