Pelegrinët nga Prizreni nisen për në haxh, grupi i parë ka arritur në Xhide

Rreth 200 besimtarë nga rajoni i Prizrenit nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), janë nisur sot për në Tokën e Shenjtë në Arabinë Saudite, për të kryer njërin nga pesë kushtet e fesë Islame-Haxhin.

Para nisjes pelegrinët kryen lutjet e fundit në Xhaminë Bayrakli në Prizren. Në një atmosferë më shumë festive, qindra familjarë erdhën për t’i përcjellë hanxhinjtë.

Kujtojmë se grupi i parë prej 215 besimtarëve nga Kosova, sot në mëngjes kanë arritur në aeroportin e Xhides, njofton Bashkësia Islame e Kosovës. Në pritje të tyre kishin dalë udhëheqësit e Drejtorisë së Haxhit nga Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët menjëherë i kanë nisur besimtarët drejt Mekës.

Në këtë grup udhëtuan 215 besimtarë nga Rahoveci, Kamenica, Skenderaj, Drenasi, Peja, Klina, Deçani, Malisheva dhe Istogu.

Sipas udhëheqësve të Haxhit në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot parashihet që të udhëtojë edhe grupi i dytë, ndërsa grupet e tjera do të udhëtojnë të hënën.

Këtë vit nga Kosova drejt vendeve të shenjta do të udhëtojnë 1576 besimtarë, teksa më i riu prej tyre është një 13-vjeçar.

Go to TOP