Pejë: Qytetari humb jetën gjatë vozitjes, ambulanca nuk arrin as pas 40 minutash

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, ku një qytetar ka ndërruar jetë brenda automjetit të tij, dyshohet si pasojë e një sulmi kardiak, njofton Kosova.info.

Sipas dëshmitarëve, gjithçka ka ndodhur gjatë vozitjes, kur viktima papritur ka ndaluar makinën. Një qytetar që ndodhej aty pranë ka vërejtur situatën e pazakontë dhe ka njoftuar menjëherë organet kompetente.

Policia e Kosovës ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në vendngjarje brenda pak minutash. Megjithatë, ajo që ka tronditur opinionin është fakti se ambulanca nuk ka arritur as pas më shumë se 40 minutash nga momenti i parë i njoftimit.

Ky vonim i papranueshëm ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga shërbimet emergjente. Në situata të tilla, çdo minutë është vendimtare dhe çdo vonesë mund të kushtojë jetë njerëzish.

Rasti po hetohet nga organet kompetente, ndërsa qytetarët apelojnë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më dhe që sistemi shëndetësor të garantojë reagim të menjëhershëm në raste emergjente./Kosova.info/

Go to TOP