Peci: Suedia ka financuar projekte transformuese në pylltari

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se Suedia ka financuar disa projekte transformuese në sektorin e pylltarisë në Kosovë.

Ministri përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se me shtetin suedez takimi është zhvilluar për bashkëpunim më të thellë ndërshtetëror.

“Suedia ka financuar disa projekte transformuese në sektorin e pylltarisë në Kosovë të cilat kanë ndikuar në reduktimin e prerjeve ilegale përmes zbatimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030 dhe punës së Task Forcës për mbrojtjen e pyjeve”, ka thënë ndër tjera ministri Peci.

Sipas ministrit nga viti 2021 deri në 2023, janë pyllëzuar rreth 1.5 milion fidanë ndërsa konteksti i digjitalizimit është në proces të investimit  të 1.5 milionë eurove për realizimin e Kadastrit Pyjor.

Peci ka thënë se po hartojnë planin kombëtar për menaxhimin e gjuetisë, faunës së egër dhe ekoturizmit, dhe kemi krijuar 7 njësi emergjente për trajtimin e zjarreve pyjore.

“Sektori pyjor kontribuon ndjeshëm në ekonominë e vendit e në këtë mënyrë synojmë zbatimin e Objektivit të 15-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Duaj dhe ruaj pyjet!”, ka shkruar ai. /Kosova.info/

Go to TOP