PDK nis fushatën për Drenasin me Petrit Hajdarin

Në Drenas, Partia Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale me kandidat për kryetar, Petrit Hajdari. Për banorët e kësaj komune, Hajdari premtoi uljen e taksave komunale, rritjen për 100% të buxhetit për bujqësi, ndërtimin e muzeut të luftës e projekte tjera.

Brohoritjet me emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jehuan në një nga sallat në Drenas, atje ku PDK shpalosi programin e saj për këtë komunë.

Nga atje, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, bashkë me kandidatin e këtij subjekti për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, premtuan një vizion dhe frymë të re për këtë komunë.

“Sot Petriti është gati të sjell një vizion të ri, energji të re dhe frymë të re të Drenasit. Ai nuk garon për ta ruajtur gjendjen siç është, por për ta ndryshuar atë. Për ta ngritur Drenasin në lartësi të reja me plan konkret për zhvillim dhe projekte që sjellin ndryshim, sepse qeverisja dhe kryetari i komunës duhet të jenë në shërbim të qytetarëve e jo qytetarët në shërbim të kryetarit”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa Petrit Hajdari ua kërkoi votën qytetarëve, duke u premtuar se do t’ua ulë taksën komunale, do të investojë në ujësjellës, shkolla, do të rrisë buxhetin për bujqësi dhe do të bëhen investime në fusha tjera.

“Qysh në vitin e parë do të ulim taksën komunale për 50%, sepse qytetari dhe biznesi duhet të marrin frymë lirshëm. Do të rrisim buxhetin për bujqësi për 100%, sepse bujku është shtylla ekonomike e komunës. Në shkolla do të sjellim mësimin tërëditor. Do ta rrisim sigurinë në shkolla. Do të ndërtojmë muzeun e luftës që brezat e rinj mos të harrojnë kurrë rrugën e gjakut dhe sakrificës”, tha Hajdari.

Gjatë tubimit u tha se PDK do ta fitojë Drenasin pa balotazh.


Go to TOP