PDK: Gjykata Kushtetuese konfirmoi të drejtën tonë, Presidentja Osmani ta emërojë përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vërtetuar të drejtën kushtetuese të kësaj partie për të pasur edhe përfaqësuesin e saj të dytë në KQZ.

“Hedhja poshtë e kërkesës së Presidentes Osmani për gjoja interpretim nga Gjykata Kushtetuese, në një çështje që ishte plotësisht ligjore dhe kushtetuese, flet për anshmërinë politike që ka marrë Presidentja e vendit në përpjekje për të dëmtuar partitë opozitare”.

“Veprimi i saj i fundit për të mos emëruar përfaqësuesin e PDK-së dhe të një anëtari të subjektit politik VAKAT, ishte vetëm në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia dhënë asaj anëtarin e tretë që ishte paraparë të emërohej një bashkëpartiake e Presidentes Osmani”.

Në njoftimin e PDK-së ftohet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mos tregohet e anshme.

“Partia Demokratike e Kosovës fton Presidenten të mos tregohet e anshme që t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës duke emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe anëtarin tjetër nga subjekti politik VAKAT”.

“Sjellja e anshme politike e Presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizmin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP