Paszgjedhjet
(Një shikim ndryshe në ditën e parë pas zgjedhjeve)
Shkruan: Murteza OSDAUTAJ
Zgjedhjet e datës 28 ishin një lloj provimi i paprecedent që ka ndodhur në skenën politike kosovare prej se ka përfunduar lufta. Ishte një luftë e pa kompromis në mes të dy blloqeve politike që, në njëfarë dore, u formësuan dhe u betonuan pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti.
Ndodhi e papritura. Bllokun kundërshtar, edhe pse nuk ishte vet deklaruar si bllok, , përdori të gjitha mjetet e lejueshme dhe të palejueshme për ta mundur bllokun tjetër. U përdorën mjetet ligjore dhe joligjore, u përdorën mediat audiovizive dhe të shkruara. U inkuadruan edhe portalet dhe agjencitë e ndryshme të lajmeve dhe të propagandës. Ne luftë, gjithsesi, u futen edhe, thuaja, të gjithë analistët të cilët, për shumë muaj ishin në funksion të toksifikimit të opinionit kosovar kundër VV-së.
Në anën tjetër, blloku i VV-së përdori krejt resurset që i kishte në dispozicion, shtetërore dhe jo shtetërore. E përdori, në mënyrë mjeshtërore, edhe përcaktimin e datës së zgjedhjeve dhe, sidomos, ardhjen dhe disponimin ‘pro’ të diasporës e cila, kësaj radhe, e organizuar në mënyrë perfekte, votoi, masivisht, për bllokun e VV-së.
Dhezi!
Dhe humbësi më i madh, si përherë, doli partia më demokratike dhe më shtet formuese që e ka Kosova. Po flas për partinë time, LDK-në.
Po pse humbi në mënyrë aq katastrofale kjo parti?
LDK-ja, për disa vite, është në një lloj krize të identitetit dhe, ende, nuk po e gjënë një mënyrë për ta trasuar dhe vazhduar rrugën dhe rolin e saj historik. E dëmtuar dhe e lënduar, deri në palcë, nga grupi i Isa Mustafës, e mbetur në duar të pasardhësve të tij të cilët nuk e kanë vetëdijen historike dhe ideologjike mbi të cilën është ngritur kjo parti, partia nuk arriti që të gjejë rrugën e saj të të qenit një konkurrente e denjë e VV-së.
Mbetja në duar të njerëzve të cilën nuk i prezantojnë vlerat e saj historike. E mbushur me zhurmues dhe profiterë, e kapluar nga interesat individuale dhe grupore të njerëzve të saj udhëheqës, kjo parti nuk arritu që, as për së afërmi, t’i ofrojë dhe manifestojë vlerat e saj historike, ideologjike dhe kombëtare.
E mbushur me shokë dhe mbështetës hipokritë të kryetarit të partisë, kjo parti u përdor më shumë si një formë e paraqitjes dhe e promovimit të tyre. Në këtë fushatë vet promovimi dhe të pushtimit të partisë nga brenda, shumë përfaqësues të saj, bënë gabime të papërmirësueshme dhe e irrituan opinionin publik deri në përbuzje.
Paraqitjet e Hikmete Bajramit dhe të Doarsa Kicës, si përfaqësueset gra të partisë, ishin katastrofale. Deklarimet e tyre të pamatura dhe pa asnjë shije, qoftë kundër partisë kundërshtare, qoftë si prezanitm i vlerave të partisë, ishin kontraproduktive dhe tejet të dëmshme. Gjithashtu paraqitjen e nënkryetarëve të partisë, Muhaxherit dhe Hazirit, ishin aq brejtëse dhe aq të ulëta saqë e bënë publikun që, përfundimisht, ta humbë besimin nëse në LDK endë ekzistojnë vlerat e dikurshme demokratike, kombëtare dhe perëndimore gtç saj. Paraqitja pa kulturë elementare dhe luajtja rolit të rrugaçit agresiv nga ana e Zemajt ishte, në një formë, një lloj kapaku i poshtërënies së partisë.
E mbushur me një grup profiterësh dhe hipokritësh të pandershëm, asish që kishin pranuar dhe kishin bërë të gjitha llojet e kompromiseve të dëmshme për partinë, largimi i masës së njerëzve që, edhe pse në moshë, e përfaqësojnë vlerën burimore të partisë, ka bërë që kjo parti të shndërrohet në një lloj korporate interesash dhe mundësish për një grup që s’është më i madh se prej 15 njerëzve.
Kjo parti duhet të ‘pastrohet’ nga kjo masë aksionerësh hipokritë që e kanë rrënuar partinë deri në zhbërjen e saj.
Largimi i Abdigjikut, i Muhaxherit, i Zemajt, i Doarses dhe Hikmetes, i Selmanajt dhe Gashit e shumë të tjerëve që e kanë sjellë partinë në këtë gjendje eshte urgjente dhe imediate.
Mendoj se kjo parti, për disa muaj duhet të udhëhiqet nga një shtab shpëtimi i cili dueht të bëjë punë shumë serioze dhe me dinjitet për identifikimin e personave të cilët mund ta rimëkëmbin partinë në të gjitha aspektet e saj.
Partia ka nevojë për një masë njerëzish që përfaqësojnë vlerat burimore, historike, kombëtare dhe perëndimore të saj. Besoj se kjo masë njerëzish ekziston ende dhe gëzon respekt në të gjitha vendet e Kosovës.
Gjithsesi kjo është një ide e cila, si të gjitha idetë e mia, nuk do të merret parasysh nga këta keqbërës që e rrënuan partinë.
Gjithsesi, derisa po e shkruaj këtë shkrim ndihem pa pikë respekti për këta lakmitarë primitivë që arritën që ta shkatërrojnë partinë më të madhe dhe më me traditë demokratike e shtet formim në Kosovë.
Shkoni dhe mos u ktheni kurrë më! Shkatërrues vlerash e përpjekjesh!
