‘Pastrimi’ pranon 6 kamionë të rinj, vazhdon gjendja e jashtëzakonshme
Gjashtë nga tetë kamionë sa janë blerë nga Komuna e Prishtinës për KRM “Pastrimi” janë dorëzuar të enjten në vlerë prej 1. 4 milion euro.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, tha se në stok janë edhe 2500 kontejnerë të cilët së shpejti do të shpërndahen në kryeqytet. Ai tha se gjendja e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave vazhdon deri në një vlerësim tjetër.
“Ne e kemi krijuar një grup pune i cili në përditshmëri po e bën verifikimin e gjendjes në terren, po i shqyrtojmë të gjitha ankesat që po vijnë prej qytetarëve të ilustruara me foto, kemi pas një raport të përpiluar për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme dhe jemi në vlerësim të situatës në të cilën ndodhemi sot dhe cilat janë hapat konkret që duhet t’i marrim konkretisht”, tha Brestovci.
Ndërsa kryeshefi i ndërmarrjes ‘Pastrimi’, Petrit Reçica, tha se kamionët i kanë munguar shumë kësaj ndërmarrjeje ndër vite. Ai foli edhe për gjendjen e jashtëzakonshme.
“Ende nuk e kemi të qartë në çfarë forme është shpall kjo gjendje, sepse edhe ne jemi duke i bërë disa matje në terren. Ne e kemi pranuar vendimin vetëm të hënën në mëngjes, dhe jemi duke bërë analiza sa ka pas vonesa të shërbimit nga operatori privat sepse ne një gjë të tillë nuk e kemi pranuar as nga operatori privat e as nga komuna”, tha Reçica. Sipas tij, kamionët do të ndryshojnë situatën me mbeturinat për 300%. /Kosova.info/
