Pas 69 vjetësh në Lezhën e Kastriotit e të Besëlidhjes Shqiptare, përjetësohet busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshit
Shkruan: Lekë MRIJAJ
Busti i përjetësuar i Prelatit e intelektualit Merditor, mons. dr. Zef Oroshi, veç tjerash është edhe një mbamendje e rikujtesë e përgjegjësisë për shqiptarët si dhe për gjeneratat pas nesh për të rikujtuar përjetësisht dhe shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj figurës madhore të këtij studiuesi e atdhetari monumental shqiptar.
Ndaj sot, me 13 dhjetor, apo pas 69 vjetësh në “Lezhën e Besëlidhjes – Besa Besë”, falë nismës dhe kontributit kyç të studiuesit të mirënjohur, Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit, sot, në sheshin: Papa Gjon Pali II, është përjetësuar në bronz busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi.
Një kontribut tjetër rreth bustit ka dhënë edhe mjedologu shqiptarë e studiuesi i mirënjohur, dom Nikë Ukgjini etj. Vepra e skalitur në fjalë është realizuar nga mjeshtri i mirënjohur, maestro prof. Sadik Spahia.
Mons. dr. Zef Oroshi, ishte bashkëpuntor i ngushtë i Fan S. Nolit, me Arqipeshkvin e Bostonit, Eminencën e Tij Kardinal Cushing, njëkohësisht edhe klerin e bashkësisë islame shqiptare të diasporës amerikane si dhe bashkëpunonte dhe kishte letërkëmbime me prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, fra Daniel Gjeçaj O.F.M.. Mons. dr. Zef Oroshi perveq një krijuesi e studiuesi të rrallë, ishte edhe një poliglot që zotëronte latinishten, italishten, greqishten e vjetër e të re, serbokroatishten, gjermanishten dhe anglishten.
Vlen të thuhet flas nga këndvështrimi im se mons Zefin, e kam njohur edhe më shumë përmes bashkfamiljarit tim, veprimtarit e studiuesit, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku, i cili për afro 15 vite të fundit me radhë më ka rrëfyer gjerë e gjatë për historikun e tij (pasi ishte edhe një njeri besnik e kumbarë të familjes), i cili përherë më thoshte: “Lekë i dashtun, mons. dr. Zefi, nuk ishte i lidhur ngushtë veç me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar e njerëzimit vullnetmirë në botë”.
Pra, ky korife, bazuar në plotni me dëshmitë e hulumtuara dhe të dhënat e studiuesit Mrijaj, e shohim qartë në majat e një atdhetari tamam të mirëfilltë dhe vërtetë ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik e atdhetar i shquar i kulturës dhe i shqiptarizmit. Veç tjerash, ishte edhe një Pionier i Bashkimit të Shqiptarëve pa dallim feje (deshmi sipas “New York Times”), themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, përkthyes në gegnishtën shqipe të Shkrimeve Shenjte – “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, Ati i Selisë Shenjtë-Papa Pali VI i dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan ndaj edhe më vonë nga Papa mori titullin : Monsinjor. Veç tjerash përktheu edhe një doracak me uratë “Visarthi Shpirtnuer”, “Ungjillin e Shen Mateut” si dhe drejtoi për shumë vite revistën “Jeta Katholike Shqiptare”.
Edhe unë përmes një shkrimi reflektues të artikuluar disa muaj më parë (botuar në “Bota Sot”, në shumë media të tjera shqiptare, me datën, 15 mars 2021), të titulluar: “Mons. dr. Zef Oroshi, kam konstatuar veç tjerash se: mons. dr. Zefi, ishte një mozaik me vlera shumëdimensionale i historisë shqiptare e qe kishte një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor”, qe do të thotë se në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumëdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore. Pra në këtë mozaik të historisë së kulturës mbarë Shqiptare, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse siç ishte mons. dr. Zefi, që la një protokoll e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë të lavdishme. Për këtë korife të fesë e shqiptarizmit siç ishte mons. dr. Zefi ( i cili kishte kërkuar statusin e azilit politik qe vendosur i plagosur në trajtim në Mitrovicë), kam dëgjuar edhe nga axha i babait tim-Nikolla (Zyrtar i Lartë në Zyrën e vendit në ish Komunën e Zllakuqanit) i cili sbashku me françeskanin, fra Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” e kishin vizituar në fund të vitit 1952 në Mitrovicë. Madje Nikolla, edhe me krenari nëpër shumë takime thoshte: “Dom Zefi, ishte një antikomunist i përbetuar kundrejt bandave enveriane e pasardhësve të tij komunistë”, sepse edhe vet familjarët e tij – mons. Zefit, ia kanë burgosur, persekutuar, internuar e vrarë në kampet e përqendrimit në shumë skëterra mesjetare.
Në Amerikë mons. Zefi, bashkëpunonte me personalitet të shquara të diasporës antikomuniste duke veçuar shtëpinë e Kapidanit të Merditës- Ndue Gjon Markut si dhe me shumë të tjerë, prof. Zef Luka, prof. Zef Neka, Rexhep Krasniqi, kolonel Xhemal Laçi, Kolë dhe Pal Mirakaj, Pal, Nue e Martin Lalaj, Bardhok Ndreu, Ndue Mëlyshi, Kolë Çuni, Gjon Gjini, Gjon dhe Zef Çupi, Pjetër Gjoci, Pjetër Kimza , Llesh Tarazhi, Nikollë e Pjetër Shkoza, Kolë Bajraktari, Prendush Gega, Fran Sokoli etj. Njëkohësisht pas kalimit në amshim të mons. Zefit, autorit e studiuesit Tomë Mrijaj, (bazuar në librin “Një jetë i përgjuar” f. 14,15), i cili ishte edhe kumbarë me dom Zefin, vetë Kapidani i Merditës-Ndue Gjon Marku, ia kishte shtrënguar dorën duke i thenë: “Tomë, ti me kumbarën tand mons.dr. Zef Oroshin, ke krye një detyrë sa njerëzore aq edhe hyjnore. Të kam shqetësue shumë herë në netë e vona, për me përcjell meshtarin tonë deri te Kisha katolike dom Zefin,, sepse e disha se asht në vezhgim të vazhdueshëm nga spiunat e enverit këtu… Nëse do ta kishin vra dom Zefin, do tu bante nji gjakderdhje e madhe mes shqiptarve në Nju Jork, gjakderdhje qe do ta gëzonte Qeverin Komuniste në Tiranë. Edhe pse u vritshin njerëzit e tyne aty këtu (spiunat), ata nuk kanë pas problem, vetëm që të vritet dom Zefi dhe të nderpritet veprimtaria e tij antikomuniste në ShBA…”
Vlen të potencohet se falë fisnikërisë, bujarisë e atdhetarizmit të Kapidanit të Merdites-Gjomarkajve, ishin ata të cilët mons. Zefit i ofruan garanci administrative, financiare e ligjore për ta zhvendosur në mënyrë legale nga Kosova për Itali e deri në Amerikë. Ai, pas shkuarjes në Amerikë e kishte themeluar edhe Kishën e parë katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” Nju Jork dhe pas plotë shtatë vitesh arriti që në Natën e madhe-Krishtlindjes së vitit 1969 të bëjë kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuruar në Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, atë të “Zonjës së Shkodrës” . Mons. Zef Oroshi, kaloi në amshim me 15 mars 1989 në Bronx të Nju Jorkut. Ndaj bazuar edhe në librin “Monsinjor Zef Oroshi, Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të autorit Tomë Mrijaj, pikërisht aty gjejmë veç tjerash edhe të dhënat e ish të burgosurit politik e studiuesit të mirënjohur shqiptar , Bep Kuqani, të cilit po ia citoj fjalët e tij për veprimtarin e dom Zef Oroshit, i cili veç tjerash thotë:- E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj anëtarët në brendësinë e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i përmendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. Veç kësaj, kam pas rast me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk e kam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryeministrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M, dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”. Njëkohësisht e ka përmendur edhe Haki Bushatin të cilin thotë se e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdua edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antikomunist i vendosun” (pjesë e një dëshmie studimore nga ish i burgosuri, studiuesi, Bep Kuqani)
Edhe njëherë mirënjohje për të gjithë mbështetësit e sipërpërmendur, pa përjashtuar edhe Bashkinë e Lezhës, e gëzofshim bustin e këtij kleriku, katekisti, i cili ishte një personalit shumëdimensional qe mbetet një enciklopedi e gjallë e qe pas 69 -vjetësh kthehet vendin e tij qe aq shumë e deshi pra Lezhën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e të Besëlidhjes Shqiptare.






