Papa Shën Gjon Pali II, nga vdekja deri në nderimet e altarit!

Papa Shën Gjon Palin II ishte shpirt i zgjedhur, që kumtoi gëzimin e mëshirën e Krishtit të ngjallur, duke përqafuar shtrënguar fort në krahë, Kryqin.

“Shenjt, menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake të Pajtimit, përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane merrte pjesë në salikimet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Wojtila. Populli katolik e shikonte si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt.

Papa Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37 minuta, në apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Ndërroi jetë pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit.

Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës Wojtila, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha kambanat e Kishave të Romës ranë përnjëherësh përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit.

Gjon Pali II (latinisht Ioannes Paulus II), në shekull Karol Wojtila (Karol Józef Wojtyla), lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovit) më 18 maj të vitit 1920. I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI. I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.

Duke nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan salikimet për pushimin e Tij të pasosur. Filluan menjëherë të gjitha procedurat e parashikuara në Kushtetutën apostolike “Universi Dominici gregis”, shpallur nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996. Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” (Grigja Universale e Zotit), Konklavi për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte brenda 20 ditëve, pas vdekjes së Gjon Palit II. Kardinali Angelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kremtoi në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit për shpirtin e Papës, e pikërisht në solemnitetin e Mëshirës Hyjnore. Trupi i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve duke nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite.

Që aso kohe, tek Lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e altarit. E që aso kohe, tek shenjtërimi, sot, më 27 prill 2014, vetëm 9 vjet.

Më 14 janar 2011, Papa Benedikti XVI nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Wojtila e për mbarë popullin polak. Sigurisht ky lajm, që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Wojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit.

Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve – e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Wojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpjegoi se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy lehtësi. E para kishte të bënte me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të dilte më pas.

Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Wojtila). Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera. Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike. Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.

Më 19 dhjetor 2009 Papa Benedikti XVI autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht. Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.

Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa FrançeskuKisha katolike, sipas kalendarit liturgjik, e kremton festën liturgjike të Papës Shën Gjon Pali II më 22 tetor.

Go to TOP