Panairi i 25-të i librit “Prishtina 2025” mbahet prej 11 deri më 15 qershor

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri” vjen edicioni i 25-të i Panairit të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

Ceremonia e hapjes do të mbahet më 11 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë si zakonisht në RTK.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00. Hyrja për vizitorë do të jetë pa pagesë.

Në këtë panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, me rreth 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 tituj të viteve të fundit.

Gjatë këtij panairi do të shënohen edhe disa përvjetorë: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt; 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës; 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës; 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.

Po ashtu do të realizohen mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair. 

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. 


Go to TOP