Pamje: Policja në ShBA shpallet fajtore për vrasjen e të riut me ngjyrë, thotë se e nxori pistoletën e gabuar
Kim Potter, 49 vjeçe, ish-zyrtare policore në Minnesota të Shteteve të Bashkuara, është shpallur fajtore për vrasjen e 20-vjeçarit me ngjyrë, Daunte Wright, gjatë një kontrolli në trafik.
Caktimi i kohëzgjatjes së dënimit për ish-policen pritet të bëhet më 18 shkurt. Për katër ditë, 12 anëtarë të trupit gjykues e shqyrtuan rastin për përafërsisht 27 orë para marrjes së vendimit, shkruan BBC.
Prokurorët e akuzuan ish-policen për vrasjen e të riut Wright si rezultat i përdorimit të pamatur të armës së zjarrit.
Akuza për vrasje të shkallës së parë e bart dënimin maksimal prej 15 vitesh burgim dhe gjobë deri në 30.000 dollarë. Vrasje e shkallës së parë cilësohet rasti kur i akuzuari është përpjekur të kryejë krim më të vogël, por ka kryer vrasje.
Si kishte ndodhur rasti?
Më 11 prill të këtij viti, policia në Brooklyn e kishte ndalur veturën në të cilën ndodhej Daunte Wright për ta arrestuar në lidhje me një fletarrestim për shkelje që lidhej me armët.
Ekipi mbrojtës i ish-polices pretendoi se sulmi me armë ndodhi gjatë kohës kur i dyshuari po i rezistonte arrestimit.
Në pamjet e kamerës së vendosur në trupin e polices, ajo dëgjohet duke thënë disa herë “Taser” para se të qëllojë një herë me pistoletë. “Taser” është lloj arme elektrike e policëve që përdoret për ta bërë përkohësisht të paaftë të dyshuarin përmes shokut elektrik.
Paralajmërim: Videoja e mëposhtme përmban pamje të ndjeshme.
Më vonë, ish-policja shihet në trotuar duke qarë. Ajo gjithashtu dëgjohet duke thënë: “E mora armën e gabuar.”
Prokurorët thanë se zonja Potter, police veterane për 26 vjet, do të duhej ta kishte ditur dallimin mes pistoletës dhe armës për shok elektrik.
