Pahlavi bën thirrje për kryengritje në Iran

Reza Pahlavi, djali në mërgim i ish-monarkut të rrëzuar të Iranit, Mohammad Reza Pahlavit, ka bërë thirrje për një kryengritje në Iran, duke deklaruar se “Republika Islamike ka marrë fund dhe po bie”.

Në një fjalim video të publikuar në platformën X të martën, Pahlavi tha se “nevojitet vetëm një kryengritje e përgjithshme për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtij makthi kolektiv”, raporton CNN.

“Tani është koha për t’u ngritur. Koha për ta rikthyer Iranin. Të gjithë së bashku,” tha ai.

“Mos u shqetësoni për atë që vjen pas rrëzimit të Republikës Islamike. Irani nuk do të kalojë në një periudhë pasigurie apo lufte civile,” shtoi ai.

Vitet e fundit, Izraeli ka forcuar marrëdhëniet me Pahlavin, i cili ka shprehur mbështetje për veprimet e Izraelit, duke marrë vlerësime nga disa pjesëtarë të diasporës iraniane, por edhe akuza për tradhti nga të tjerë.

Babai i tij, Shahu i ndjerë i Iranit, kishte marrëdhënie të ngrohta me Izraelin përpara se të rrëzohej nga Revolucioni Islamik në vitin 1979.


Go to TOP