Pacolli: Kam qenë aty ku të tjerët nuk guxuan të jenë
Begjet Pacolli, ish-president dhe një nga figurat më të njohura politike e ekonomike të Kosovës, ka shpërndarë një reflektim personal mbi sfidat dhe rrugëtimin e tij në politikë dhe biznes. Përmes një postimi emocional, ai kujton betejat më të vështira të jetës, vendimet e rënda dhe momentet kur qëndroi i vetëm duke theksuar se kurrë nuk ka zgjedhur të heshtë përballë vështirësive.
“Vjen një ditë kur e kupton se çdo betejë, çdo moment i vështirë, çdo telefonatë e rëndësishme — ka lënë gjurmë. Ato plagë që më shkaktuan asnjëherë nuk i fsheha, por i mbaj me krenari,” shkruan Pacolli duke theksuar se guximi dhe vendosmëria e kanë veçuar gjithmonë nga të tjerët.
Ai nënvizon se të tjerët shpesh kanë zgjedhur të heshtin apo të qëndrojnë në distancë, ndërsa ai ka përballuar furtunat me bindje dhe vendosmëri. “Tani e kam krejtësisht të qartë pse isha i vetëm dhe pse nuk paskam qenë gabim,” shton ai, duke lënë të kuptohet se sfidat e kaluara kanë forcuar ndjenjën e drejtësisë në veprimet e tij.
Në përfundim, Pacolli thotë se rrugëtimi i tij është tashmë “harta e jetës” dhe një dëshmi e trashëgimisë që po lë pas duke shprehur besimin se të tjerët do të ndjekin gjurmët e tij. /Kosova.info/
