Osmani takon Rutte: Kosova e përkushtuar për anëtarësim dhe paqe në rajon
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Në fokus të bisedës ishte roli thelbësor i NATO-s dhe misionit të saj në Kosovë, KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të punuar ngushtë me NATO-n dhe për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në këtë aleancë.
“Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe për një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët tanë,” deklaroi Presidentja Osmani pas takimit.
Takimi vjen në një kohë me rëndësi të veçantë për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosova vazhdon të thellojë partneritetin strategjik me aleatët ndërkombëtarë dhe të afirmojë rolin e saj si kontribuuese për paqe dhe stabilitet. /Kosova.info/
