Osmani për gazsjellësin: Kosova s’mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me ShBA-në

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës, sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin.

Osmani në një intervistë për Deutche Welle thotë se nuk ka refuzimi nga Kosova për këtë projekt teksa thotë se ka studim nga ekspertët dhe ministritë përkatëse.

“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit”.

Presidente Osmani, pas Gjermanisë ju do të udhëtoni për ShBA. Ish-presidenti i Kosovës dhe qeveria e tij mbështeteshin më shumë nga ShBA-ja se sa nga Europa. Tash, marrëdhëniet me administratën e re amerikane duken mjaft interesante, pak më ndryshe. Ndoshta pak edhe më të ftohta. Ku e sheh veten Kosova në pozicionin politik, ndërmjet ShBA-së dhe BE-së?

Vjosa Osmani: Unë, në fakt, nuk e di se nga është krijuar përshtypja që marrëdhëniet tani me ShBA-në janë më të ftohta. Është pikërisht e kundërta. Kosova, është në një pikë të raporteve të shkëlqyeshme dhe të avancuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo rikonfirmohet çdo ditë nga kontaktet që i kemi me zyrtarët më të lartë amerikanë. Para disa ditësh unë kisha një telefonatë me zëvendës-presidenten amerikane, zonjën Kamala Harris. Kryeministri Kurti kishte telefonatë me sekretarin e shtetit, zotin Blinken. Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë. Kjo dëshmon, jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria jonë, si shteti i parë, për të marrë refugjatë afganë, si aleatë të Shteteve të Bashkuara, por edhe me rolin që po e luajmë në rajon dhe gjetiu. Ne nuk kemi asnjë çështje, për të cilën nuk pajtohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të cilën nuk e kemi përkrahjen e plotë të tyre. Unë do të udhëtoj tani për Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që nuk është vizitë bilaterale, por ka të bëjë me takime me liderë të shteteve të tjera, ku do të diskutojmë raportet me Kosovën, por në nëntor do të udhëtoj prapë në Amerikë dhe shpresoj shumë që edhe do të kemi vizita të rëndësishme nga vetë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Por duke qenë njeri përbrenda takimeve të nivelit më të lartë nga zyra ovale prej vitit 2006 e tutje e deri tek takimet e tjera ku kam qenë prezente në kapacitetet e mia të ndryshme, unë mund të them që tani kemi raporte jashtëzakonisht të mira, dhe absolutisht asnjë dyshim të vetëm, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka nevojë ta ketë, se ka ftohje të marrëdhënieve se kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Përse Kosova akoma nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik. Pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, e cila është përkrahur edhe nga Amerika?

Vjosa Osmani: Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me ShBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera. Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale.

Pra, ju e përkrahni projektin?

Vjosa Osmani: Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara.

Si është pozicioni juaj. A duhet përfshirë ShBA-ja më shumë dhe drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi?

Vjosa Osmani: Kosova ka fatin që ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara historikisht, por në veçanti në procesin e Dialogut. Tani mund të them që ka një interesim të madh në këtë proces nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. Formati, se si ata përfaqësohen aty, është çështje që duhet ta vendosin ata. Mirëpo interesimi është jashtëzakonisht i lartë, dhe ne jemi vazhdimisht në kontakt për të koordinuar edhe me ta…

Edhe me BE-në?

Vjosa Osmani: Natyrisht, edhe me BE-në, sepse BE-në po e marr si të mirëqenë duke qenë se ata janë aty në udhëheqje të procesit. Por, sa do të jenë fizikisht prezentë Shtetet e Bashkuara, do të jetë vendimi i tyre, për ne është me rëndësi që çdo veprim, çdo hap tonin ta koordinojmë edhe me shtete të caktuara të BE-së, sepse nuk do të thoja me të gjitha, sepse ka shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por me shtete të caktuara, si Gjermania, në veçanti, dhe pastaj me Shtetet e Bashkuara është me rëndësi, që ne t’i koordinojmë hapat. Se kështu është i garantuar suksesi, si në dialog, ashtu edhe në procese të tjera.

Go to TOP