Osmani me ambasadoret e Quintit, i biri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojnë sulmin
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën jetike të Kosovës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale.
Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.
Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend. /Kosova.info/