Organizohet WTT Feeder Prishtina 2024
FPPK njofton se nga 30 tetori deri më 1 nëntor në pallatin e sportit 1 tetori do të organizohet për herë të parë turneu prestigjioz i seniorëve “WTT Feeder Prishtina 2024”, në të cilën marrin pjesë 87 sportistë meshkuj e femra nga 35 shtete të botës, e ndër to janë edhe sportistë nga 9 shtete që ende se kanë njohur Kosovën, e po ashtu edhe 10 sportistë nga Kosova të cilët kanë nevojë për përkrahjen tuaj.
Pas përmbylljes së suksesshme të organizimit të “WTT YC Prishtina 2024” që u organizua nga data 24 deri 27 tetor, federata e pingpongut ndihet e përgatitur edhe për “WTT Feeder Prishtina 2024”, në të cilin janë paraqitur sportistë të nivelit botërorë, siç është edhe Andreas Lind, i 29 në ranglistën botërore, i cili kohë më parë ka arritur të fitojë ndaj lojtarit numër 1 të botës. Ndërsa tek femrat sportistja më e ranguar është Natalia Bajor e renditur si e 49 në ranglistën botëror.
Gjatë 3 ditëve sa do të zgjasë eventi, garat do të zhvillohen në sistem eliminues, andaj në të gjitha ndeshjet sportistët do të japin maksimumin, që nënkuptohet se të gjitha ndeshjet do të jenë atraktive për publikun.
Në ditën e parë garat do të fillojnë nga ora 9:00 deri në ora 21:00, duke filluar me ndeshjet e çifteve të përziera, pastaj nga ora 11:00 do të fillojnë ndeshjet individuale, do të zhvillohen dy xhiro, e po ashtu edhe ndeshjet e çifteve meshkuj e femra.
Në ditën e dytë garat do të fillojnë nga ora 10:00 deri në 19:00, në përgjithësi do zhvillohen ndeshjet çerekfinalet në të gjitha kategoritë.
Në ditën e tretë garat do të fillojnë nga ora 11:00 deri në 18:00, e në program janë ndeshjet gjysmëfinale e finale
Për më shumë info klikoni në linkun: https://worldtabletennis.com/eventInfo?eventId=2964 /Kosova.info/
