OEK-u thotë se Qeveria duhet t’i paralajmërojë bizneset për çfarëdo vendimi
Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke thënë se po ndikojnë edhe në ekonomi.
Në njoftim OEK-u apelon për maturi dhe vëmendje nga të gjitha palët dhe se këto çështje të zgjidhen me dialog.
“OEK apelon që menjëherë të lirohen policët e Kosovës pa asnjë kusht. Gjithashtu apelon që të gjitha çështjet e hapura që mund të zgjidhen me dialog të negociohen përmes një dialogu të hapur, transparent dhe në kordinim të plotë me miqt tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur në çdo kohë Kosovën në këtë histori suksesi, që pa mbështetjen dhe ndihëm e tyre nuk do të ishim këtu në këtë nivel të zhvillimit ekonomiko-social të vendit tonë, prandaj apelojmë të mos preken bizneset vendore e ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
OEK-u apelon tek institucionet e Republikës së Kosovës që bizneset të paralajmërohen paraprakisht për çfarëdo vendimi që merret e që prek bizneset, ashtu që bizneset të kenë kohë të përgatiten dhe të mbrojnë veten dhe konsumatorët nga masat që do të merren.
