OEK: Rikthimi i shpejtë i Comodita Home, sinjal i fuqisë dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përshëndetur rifillimin e shpejtë të punës në fabrikën Comodita Home në Gjakovë, vetëm tri ditë pas incidentit që kishte ndërprerë përkohësisht prodhimin. Ky reagim i menjëhershëm është vlerësuar si një sinjal i fuqisë së sektorit privat dhe i qëndrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, e cilësoi këtë zhvillim si një lajm shumë të mirë për vendin duke theksuar se rikthimi në kohë rekord dëshmon për menaxhim të fortë dhe profesionalizëm të lartë.
“Ky është një lajm i shkëlqyer për ekonominë e vendit. Në këtë rast duhet përgëzuar drejtuesit e kompanisë, veçanërisht Shkëlqim Devollin, i cili arriti që në kohë rekord ta rikthejë fabrikën në funksion duke siguruar që punëtorët të mos ndjejnë pasojat e ndaljes së prodhimit dhe të mos ketë ndikim negativ në eksport,” ka deklaruar Rafuna.
Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar lart edhe solidaritetin e punëtorëve dhe përkushtimin e menaxhmentit të Comodita Home duke e konsideruar këtë rast si një shembull pozitiv të qëndrueshmërisë së biznesit vendor. Sipas OEK-ut, ky rikthim i shpejtë dëshmon rolin kyç që industria prodhuese ka në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ruajtjen e vendeve të punës dhe forcimin e eksporteve.
#OEK #EkonomiaKosovës #ComoditaHome #BiznesiVendor #MadeInKosova /Kosova.info/
