Oda e Mjekëve: Miqtë dhe familja po i mbajnë profesionistët në Kosovë
Oda e Mjekëve të Kosovës ka prezantuar një “Analizë gjithëpërfshirëse të ‘djegies profesionale’ (burnout) të mjekëve në Kosovë”, ku janë ngritur shqetësime për kushtet e punës së mjekëve dhe trendin në rritje të migrimit të tyre jashtë vendit.
Profesoresha e Shëndetësisë në Universitetin e Prishtinës, Fatime Arnëliu-Qosaj, vuri në dukje se pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për avancim në karrierë dhe programet e dobëta të specializimit janë ndër faktorët kryesorë që po i shtyjnë mjekët të largohen nga Kosova. Në të kundërt, lidhjet me miqtë dhe familjen janë faktorë që i mbajnë disa prej tyre ende në vend.
Arnëliu-Qosaj shprehu shqetësimin për rënien e numrit të mjekëve që diplomojnë në Kosovë dhe për ata që migrojnë jashtë vendit. Ajo theksoi se mjekët përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të sistemit shëndetësor në çdo vend, dhe mungesa e tyre ka bërë që ky problem të përfshihet në agjendat shtetërore në nivel global.
“Në Kosovë, aktualisht ka 3.1 mjekë për 100 banorë, një shifër më e lartë se mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta, por më e ulët se mesatarja e vendeve të BE-së,” tha ajo.
Oda e Mjekëve ka shprehur shqetësim për mbajtjen e këtij numri, duke theksuar mungesën e të dhënave për numrin e mjekëve që diplomojnë dhe që migrojnë jashtë vendit. Përkundër përpjekjeve, nuk janë gjetur të dhëna të sakta nga institucionet përkatëse.
Është vërejtur gjithashtu një rritje e kontratave që u jepen mjekëve për të punuar jashtë vendit. Faktorët kryesorë që shkaktojnë distresin profesional përfshijnë ngarkesën e punës, pagat e pamjaftueshme, trajnimin jo adekuat, mungesën e pajisjeve dhe pamundësinë për avancim në karrierë.
Për më tepër, Arnëliu-Qosaj theksoi se mjekët me performancë të lartë janë më të prirë të largohen nga vendi, dhe mjekët meshkuj kanë raportuar nivele më të larta të stresit. Rrjetet sociale gjithashtu janë një burim stresi, pasi shumë mjekë ndihen të ngarkuar nga komunikimi me pacientët jashtë orarit të punës.
