Oda Amerikane zhvillon një tryezë të rrumbullakët me ministrin Peci

Potencialet ekonomike të sektorit të bujqësisë, krahas krijimit të vlerës së shtuar përmes ndërlidhjes më të mirë dhe forcimit të kapaciteteve përpunuese, ishin temat e tryezës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Duke i vlerësuar diskutimet si këto si tejet të rëndësishme për zhvillimin e një dialogu të shëndoshë dhe racional, Ministri Peci theksoi se objektivi primar i Ministrisë është zhvillimi i bujqësisë së qëndrueshme. Ministri Peci theksoi rëndësinë e krahasimit të të dhënave dhe statistikave lidhur me prodhimin dhe importin e produkteve të ndryshme, të cilat janë përdorur për rifokusimin e subvencioneve dhe mbështetjen e kulturave me arsyeshmëri më të madhe ekonomike. Ai tha se si rezultat i masave të ndryshme të ndërmarra, për herë të parë është siguruar prodhimi primar i grurit për nevojat e brendshme të Kosovës.

Ministri diskutoi për mbështetjen për kultivuesit e produkteve parësore, përfshirë pemët dhe perimet, të cilat nuk kishin pasur fokus të mjaftueshëm në vitet e kaluara. Ai përshkroi gjithashtu planet për integrim më të mirë me industrinë e përpunimit të ushqimit, duke elaboruar mbështetjen për sektorin e blegtorisë, duke synuar rritjen e fondit blegtoral dhe përmbushjen më të mirë të kërkesave lokale.

Një tjetër informatë e rëndësishme ishte dhe rritja e eksportit të produkteve bujqësore për 94%, duke shtuar se si Ministri janë duke punuar paralelisht në disa aspekte të ndryshme ligjore, të cilat konsiderohen të jenë tejet të rëndësishme për industrinë e të cilat pritet të aprovohen se shpejti, përfshirë edhe Projektligjin për Kooperativat Bujqësore. /Kosova.info/

Go to TOP